28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tremujori i dytë/Të ardhurat nga turizmi u rritën me 210 mln euro

Të ardhurat nga turizmi u rritën me 210 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Statistikat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në bilancin tremujor të pagesave.

Sipas BSH, për periudhën prill-qershor të këtij viti, shpenzimet e udhëtimeve nga jorezidentët në Shqipëri ishin 930 milionë euro nga 722.2 milionë që ishin në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Në terma relativë rritja është 28.7 për qind.

Rritja e tremujorit të dytë konfirmon periudhën pozitive që po kalon sektori i turizmit. Seria e të dhënave tregon se në çdo tremujor flukset hyrëse nga turizmi rriten mesatarisht me 200 milionë euro.

Në total për gjysmën e parë të vitit, të ardhurat nga turizmi ishin 1.55 miliardë euro ose 420 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Por turizmi nuk po shfaq trend rritje vetëm në hyrje. Edhe shqiptarët duket se po shpenzojnë më shumë për udhëtime jashtë vendit. Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se në gjysmën e parë të vitit, qytetarët shqiptarë shpenzuan 976 milionë euro për udhëtime jashtë vendit, nga 793 milionë euro që ishte shifra në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Megjithatë në vlera absolute rritja e të ardhurave nga udhëtimet është mbi dy herë më e lartë se sa ajo e shpenzimeve të shqiptarëve jashtë. Kjo bën që përfitimi neto i ekonomisë nga turizmi të zgjerohet. Në gjysmën e parë të këtij viti bilanci neto i sektorit të turizmit – diferenca mes të ardhurave nga jorezidentët dhe shpenzimeve të shqiptarëve jashtë – rezultoi 577 milionë euro nga 342 milionë euro që ishte për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Nëse rritja e të ardhurave nga udhëtimet ruan të njëjtin trend si në gjysmën e parë të vitit, projeksioni është që ekonomia shqiptare të përfitojë mbi 3.5 miliardë euro këtë vit nga flukset hyrëse të turizmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *