Ekonomia shqiptare përfitoi 790 milionë euro nga turizmi në tre muajt e parë të vitit. Statistikat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në bilancin e pagesave për tremujorin e parë të vitit.
Sipas BSH, flukset hyrëse nga sektori i udhëtimeve në ekonomi u rritën me 26.3 për qind duke qenë rreth 165 milionë euro më shumë se janar-marsi i vitit të kaluar, kur kjo shifër rezultoi 624 milionë euro.
Megjithatë, në terma neto përfitimet e ekonomisë nga turizmi u rritën më pak, përkatësisht 76 milionë euro për shkak se për të njëjtën periudhë rezultojnë të jenë rritur edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë shtetit.
Sektori i turizmit është shndërruar në motorrin kryesor të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare tregojnë se vitin e kaluar Shqipëria përfitoi rreth 4.2 miliardë euro të ardhura nga turizmi, ndërsa për këtë vit parashikimet janë që shifra të kërcejë mbi 5 miliardë euro.
Disa nga ekspertët e bankave shqiptare po parashikojnë se brenda pak vitesh prurjet nga turizmi dhe shitjet e ndertimeve rezideciale tek subjekte të huaja shumë shpejt mund të tejkalojnë shumen prej 10 miliardë Euro në vit.
Megjithatë, në tremujorin e parë të vitit, pavarësisht rritjes së turizmit, llogaria korrente e vendit u përkeqësua. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se deficciti i llogarisë korrente, u thellua me gati 3 herë duke arritur në 371 milionë euro, nga 128 milionë që ishte në tremujorin e parë vjet.
Rritja e deficcitit korrent është shkaktuar nga përkeqësimi i tregtisë së mallrave, tekksa eksportet e kompanive shqiptare janë ulur, ndërsa importet nga jashtë kanë shënuar rritje të ndjeshme.