Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim rishikoi me rritje të lehtë projeksionin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti. Në raportin e fundit mbi prespektivën e ekonomive të rajonit, BERZH parashikon se ekonomia shqiptare do të zgjerohet me 3.5 për qind këtë vit, nga 3.3 për qind që ishte parashikimi i mëparshëm në muajin maj.
“Parashikimet e rritjes për vitin 2024 janë rishikuar për lart në Shqipëri, për shkak të një sezoni të fortë turistik,” shpjegoi BERZH.
Pavarësisht këtij përmirësimi, rritja ekonomike e Shqipërisë mbetet e ulët për një vend në zhvillim dhe shumë poshtë mesatares së periudhës 1990-2010, ku ekonomia shqiptare është rritur mesatarisht me 6 për qind në vit.
Zgjerimi i sektorit të turizmit nuk po arrin të japë një efekt të dushëm në përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe ritmit të zhvillimit ekonomik të vendit, ekonomia e të cilit mbetet e mbërthyer në kurthin e rritjes së ngadaltë.
Në tremujorin e parë të këtij viti, ekonomia shqiptare u rrit me 3.6 për qind në terma vjetorë, nga 3.4 për qind që ishte rritja në tremujorin e parë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT, rritja e prodhimit në muajt e parë të vitit u nxit nga shërbimet dhe ndërtimi, ndërsa prodhimi industrial dhe ai bujqësor ra.
Kjo reflektohet në anën e shpenzimeve, ku konsumi dhe investimet private regjistruan rritje të fortë, por eksportet neto u tkurrën për shkak të rënies me 30 për qind të eksporteve të mallrave të dëmtuara nga forcimi i lekut ndaj euros dhe kërkesa e dobët nga jashtë. Si rezultat, defiçiti i llogarisë korrente u zgjerua duke arritur në 7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pavarësisht rritjes së flukseve hyrëse nga dërgesat e emigrantëve.
Për vitin e ardhshëm BERZH parashikon se ekonomia shqiptare do të ketë një rritje lehtësisht më të lartë në 3.7 për qind, por paralajmëroi se ky skenar kërcënohet nga thatësira e mundshme që dëmton prodhimin e energjisë dhe atë bujqësor.