30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Ujësjellësi i Fierit rrit çmimet për qytetarët deri në 53 për qind

Qytetarët e Fierit, Patosit, Mallakastrës dhe Roskovecit do të paguajnë në faturën e tyre të uji një çmim deri në 53 për qind më të lartë. Enti Rregullator i Ujit ka miratuar aplikimin e Ujësjellësit të Fierit për rritjen e tarifave çka do të sjellë një rëndim të konsiderueshëm të faturës që qytetarët e këtij qarku paguajnë për ujin.

Sipas vendimit, tarifat për furnizimin me ujë për familjarët rriten nga 52 lekë për metër kub që ishin, duke arritur në 60 lekë për metër kub. Por furnizimi me ujë nuk është tarifa e vetme që rritet. Një tjetër rritje edhe më të madhe pëson tarifa e shërbimit të kanalizimeve të Ujërave të Ndotur.

Sipas vendimit të ERRU, qytetarët e qarkut të Fierit do të paguajnë 20 lekë për metër kub për shërbimin KUN nga 13 lekë që ishte tarifa ekzistuese, çka përbën një rritje prej plot 53 për qind.

Vitin e kaluar qeveria nisi një proces riorganizimi për shoqëritë e ujësjellësave, i cili reduktoi numrin e tyre pëlrmes bashkimit. Kështu ujësjellësi i Fierit, Patosit, Mallakastrës dhe Roskovecit nga shoqëri të ndara, që ishin më parë, u bashkuan në një shoqëri të vetme. Sipas ministrisë së Infrastrukturës, ky bashkim do të përmirësonte menaxhimin e shoqërive duke shëndoshur treguesit e tyre financiar.

Por pas riorganizimit, çmimi i ujit po rritet masivisht për të gjithë qytetarët anembanë Shqipërisë, një shembull ky i vendosur më së pari nga ujësjellësi i Tiranës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *