Ndërmarrja e Ujësjellësit të Vlorës duket se ka gjetur një skemë tinëzare për të vjedhur qytetarët e Vlorës. Kjo ndërmarrje i nxjerr me vonesë faturat dhe me mbi to aplikon kamatvonesë. Skema është denoncuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Vlorës edhe nga kreu i këshilltarëve të demokratëve euroatlantik, Gjergji Nika.
“Ujësjellës Kanalizimet ka gjetur një mënyrë tjetër për të rritur të ardhurat e veta nëpërmjet gjobave. Në muajin qershor, fatura e muajit qershor për 61 mijë abonent ka dalë në 25 qershor dhe në 28 qershor 2 ditë më pas ka filluar të aplikojë kamatvonësën. Përsëri në muajin korik fatura ka dalë në datën 26 dhe po aplikohet kamatvonesa. Si rregull ligjor, sipas marrëveshjes që ka operatori që kryen shërbimet midis ujësjellësit dhe bashkisë, fatura nuk duhet të vonohet më shumë se data 10 e muajit. Sepse 61 mijë abonentë e kanë të pamundur të paguajnë për dy ditë. Kështu që imagjinoni kamatvonesën në të ardhura 150 milionë apo 200 milionë lekë të reja në muaj, është kamatvonesa shumë e madhe dhe goditen sërish qytetarët,” tha Nika.
Grup i strukturuar
Vetëm pak muaj më parë, Ujësjellësi i Vlorës u përfshi në një skandal të madh. Disa punonjës dhe ish punonjës të këtij institucioni vunë në jetë një skemë të sofistikuar për të marrë miliona euro nga ndërmarrja. Në mënyrë të koordinuar ata kanë paditur Shoqërinë e Ujësjellësit në Gjykatën e Vlorës duke kërkuar shtesat e vjetërsisë në punë, fitimin e munguar nga mosdhënia e këtyre shtesave bashkë me kamatvonesat, pagesat për punë të vështirë dhe madje edhe kompesimin ushqimor.
Skema ishte aq e përhapur sa që e detyroi Belinda Ballukun të shkonte me urgjencë në qytetin bregdetar për këtë çështje. E shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, zonja Balluku zhvilloi në Pallatin e Kulturës një mbledhje me drejtuesit dhe punonjësit e ujësjellësit të këtij qyteti, i cili zgjati vetëm 10 minuta. Qëllimi i vetëm i tij ishte kërcënimi i paditësve.
“Kjo nuk është një çështje që do lihet në sirtare, por do ndiqet ligjërisht për të gjithë të përfshirët. Kjo është detyra ime personale dhe stafit të Ministrisë dhe do ti shkohet deri në fund. Do çoj dosjen në SPAK. Kemi dy muaj që i kemi shkuar deri në rrënjët e fundit, deri aty ku është ngjizur kjo skemë. Dosjet janë gati,” kërcënoi Balluku.
Me sa duket tashmë Ujësjellësi ka gjetur skemën për të kompesuar paratë që u morën nga qindra punonjësit përmes gjykatave duke vjedhur qytetarët me kamatvonesa.