27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Uri për investime, Bondi i parë me ofertë publike blihet dy javë para afatit

Tregjet financiare në Shqipëri duken të uritura për instrumenta të reja investimi. Institucioni financiar jo-bankë NOA, lajmëroi se emetimi i bondit korporativ 500 milionë lekë u mbyll dy javë para afatit të parashikuar për shkak të kërkesës së lartë.  

“Në terma të vëllimit, shumica e bondmbajtësve janë investitorë institucionalë si banka apo fonde investimesh,” deklaroi drejtoresha e përgjithshme Herjola Spahiu në A2 CNN.

Kjo ishte hera e parë kur një kompani private emeton obligacion me ofertë publike në Shqipëri. Bondi ka një afat 5 vjeçar dhe interes vjetor fiks 8 për qind që paguhet çdo 6 muaj.

Obligacioni është i pagarantuar, i nënrenditur dhe u emetua në monedhën Lekë me vlerë minimale 500 mijë lekë. Kjo do të thotë se në radhën e shlyerjes së detyrimeve ky instrument vjen i fundit, por gjithsesi qëndron para aksionerëve. Ndërmjetës financiar për shërbimin e hedhjes në treg të këtyre titujve ishte Banka Credins.

NOA është një institucion financiar jo bankë që operon prej 25 vitesh në tregun shqiptar. Ky institucion numëron 26 degë në të gjithë Shqipërinë dhe punëson mbi 300 punonjës. Aktiviteti kryesor i tij është kredidhënia për bizneset e vogla dhe të mesme, fermerët si dhe familjet.

Sipas pasqyrave financiare të audituara, në fund të vitit 2022 totali i aktiveve të NOA ishte rreth 7.9 miliardë lekë. Aktiviteti kryesor i NOA është kredidhënia për ndërmarrjet e vogla, fermerët dhe familjet dhe portofoli bruto i kredisë ka vlerën e 7.4 miliardë lekëve.

Dallëndyshja e parë

Emetimi i obligacioneve me oferta publike është një praktikë e zakonshme në vendet e zhvilluara, përmes të cilës bizneset sigurojnë likuiditet për financimin e aktivitetit të tyre. Në Shqipëri ky instrument deri më sot ka qenë inekzistent.

Ndërmarrjet shqiptare janë financuar thuajse tërësisht me injektim kapitali nga aksionerët ose përmes kredive që marrin në banka. Vitet e fundit disa biznese, kryesisht banka kanë nisur të sigurojnë financime edhe përmes emetimit të obligacioneve me ofertë private, të cilat i drejtohen kryesisht investitorëve institucionale ose një numri të ngushtë individësh.

Ky i NOA-s është rasti i parë kur një kompani privatë në Shqipëri emeton obligacion me ofertë publike.  

Tashmë obligacioni i emetuar do të kuotohet edhe në Bursën Shqiptare të Titujve duke e bërë atë të parin titull të një subjekti privat që mund të tregtohet lirisht në bursë, pasi deri më tani tregtimi publik i titujve ka qenë i mundur vetëm për letrat me vlerë të emetuara nga qeveria.

Efekt zinxhir

Listimi në Bursë i bën titujt financiarë likuidë, që mund të tregohet në çdo moment duke u krijuar mundësinë investitorëve t’i shesin dhe blejnë lirisht ato. Kjo krijon mundësi të reja për tregun financiar.

Investitorët, por edhe individët që kanë para të lira dhe kërkojnë norma më të lartë kthimi se sa instrumentat tradicionalë si letrat me vlerë të qeverisë apo depozitat bankare, do të kenë alternativa të reja për të diversifikuar portofolet e tyre duke maksimizuar fitimet.

Historikisht tregu financiar në Shqipëri ka qenë i cekët për shkak edhe të informalitetit të lartë, që e bën të pamundur për kompanitë private të emetojnë bonde apo tregtojnë aksionet e tyre në bursë për të siguruar likuiditet. A do të jetë ky i NOA-s emetimi që do të thyejë akullin shumë vjeçar duke nxitur kompani të tjera private, edhe ato jashtë sistemit financiar, që të zgjerojnë alternativat e financimit të aktivitetit të tyre. Kjo mbetet për t’u parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *