Ka nisur zhvendosja e pemëve në kuadër të zgjerimit dhe rindërtimit të autostradës Tiranë-Durrës. Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj i cili ka publikuar video nga ky operacion që garanton ruajtjen e mjedisit gjatë punimeve të infrastrukturës. Pemët që po hiqen nga zona e punimeve do të mbillen në Parkun e Liqenit Artificial dhe në disa pika të tjera të qytetit.
“Me fillimin e punimeve për zgjerimin dhe rindërtimin e autostradës Tiranë-Durrës, ka nisur zhvendosja e të gjitha pemëve , të cilat do të mbillen në hapësirat e Parkut të Liqenit Artificial dhe në disa pika të tjera,” thekson Veliaj.
Në janar të vitit 2020, Drejtoria Numër 1 e Punëtorëve të Qytetit, një institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës, shpalli një procedurë të mbyllur me negocim të drejtëpërdrejtë për mbjelljen e pishave të buta anës rrugës Tiranës-Durrës.
Fondi i tenderit ishte 332 milionë lekë, ose 3.3 milionë euro me kursin aktual dhe kontrata iu dha kompanisë Fusha sh.pk. Por me nisjen e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës dhe shndërrimin e saj në autostradë, pishat po shkulen të gjitha.