4 Korrik, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Vendimi i ERE/ Lidhje e përkohshme energjie për lokalet e plazheve

Subjektet që ushtrojnë aktivitet sezonal, sikurse janë baret gjatë sezonit veror, eventet festive, apo panairet do të lidhin kontratën e furnizimit me energji elektrike me procedurë të përshpejtuar. Për herë të parë rregullorja për lidhjet e reja në sistemin e shpërndarjes, ka përfshirë konceptin e lidhjeve të përkohshme, që është lidhje e energjisë elektrike, që hapet vetëm për subjekte sezonale, për periudha të caktuara sipas kërkesës së aplikantit.

Rregullorja është nxjerrë për konsultim publik nga Enti Rregullator i Energjisë, ndërsa specifikon se lidhjet e përkohshme do t’u ofrohen objekteve sezonale si: Kashtore, kioska, lokalet në plazhe, evente festive, panaire, etj. Në dokument, specifikohet se lidhja e tyre me rrjetin shpërndarës të OSSH do të kryhet në procedurë të rregullt, por të përshpejtuar për të ofruar shërbim të lehtësuar ndaj përdoruesve të rrjetit.

“Duke qenë objekte të përkohshme, këto objekte nuk janë të pajisur me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, të kërkuar për një lidhje të re, gjë që sjell vonesa ose refuzime të lidhjes së re”, – thuhet ndër të tjera në dokument. “Në këtë formë mund t’i jepet një zgjidhje që të njihen si lidhje të përkohshme dhe në momentin e mbarimit të aktivitetit të tyre sezonal/turistik/festiv të bëhet pezullimi apo mbyllja e kontratës së energjisë elektrike”, – shtohet më tej.

Po ashtu, në draft specifikohet se tarifat që do të paguhen për lidhjen e re do të jenë të njëjta me tarifat e miratuara në rregullore referuar fuqive të kërkuara si dhe mbyllja apo pezullimi i këtyre kontratave do të kryhet me të njëjtën procedurë që parashikon kontrata e furnizimit me energji elektrike.

Scan TV

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *