28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Vjedhja e qytetarëve me çmimin e ilaçeve, para syve të qeverisë!

Nga Zheni Gjergji

Në një artikull hulumtues gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri, sjell në vëmendje rastin flagrant të medikamentit ‘Nurofen’, për moshat pediatrike, i cili shitet në farmacitë tona në mënyrë të kundraligjshme 2.5 herë më shumë se çmimi i barit xhenerik.

Një rast i ngjashëm është denoncuar edhe nga gazetari Renaldo Salianji, i cili gjen në një farmaci në kryeqytet medikamentin Bisolvon me trefishin e çmimit, të të njëjtit medikament, në një farmaci tjetër, duke hedhur dyshime për falsifikim dhe abuzime.

Nuk është rastësi që të dyja këto barna merren pa recetë dhe blihen gjerësisht nga qytetarët për trajtimin simptomatik të virozave dhe gripit.

Kështu shtojnë fitimin abuziv kompanitë farmaceutike dhe institucionet përgjegjëse, por në dëm e në xhep të hallexhinjve.

Sikur të mos mjaftonte mungesa në treg e një numri të madh medikamentesh bashkëkohore, mosrimbursimi për barna të nevojshme për trajtimin e sëmundjeve akute e kronike, apo cilësia e ulët e barnave në tregun shqiptar, tani ekonomia e qytetarëve duhet të rëndohet edhe nga skema sistematike e vjedhjes dhe abuzimit me çmimet e barnave.

Ky nuk është një rast i izoluar: përkundrazi, është pjesë e politikave të gabuara, akteve korruptive dhe ligjeve klienteliste të kësaj qeverie, që e kanë shtrenjtuar shëndetësinë në mënyrë të skajshme dhe kanë ulur cilësinë e shërbimit shëndetësor.

Bashkë me kolegë e specialistë të fushës do ta ndjekim këtë çështje, do kërkojmë llogari e përgjegjësi të plotë.

I bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit të reagojnë menjëherë, të nisin hetimet. Nuk ka krim më të shëmtuar se sa hajdutëria me shëndetin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *