29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Vokshi: AKEP po toleron abuzimin e ONE

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka akuzuar Autoritetin Kombëtar të Komunikimeve Elektronike dhe Postare se nuk po kryen detyrën e ngarkuar nga ligji për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet e kompanisë celulare ONE. Përmes një postimi në facebook, zonja Vokshi thotë se AKEP ka fshehur kokën si struci duke lënë pa mbrojtje qindra mijë abonentë.

Postimi i plotë i Vokshit

Pse #AKEP nuk ka ndërhyrë për të zgjidhur problematikën me Kompaninë ONE?

@AKEP ka bërë në datë 25 gusht, një deklaratë publike të thatë, thjesht sa për “të larë gojën”, në lidhje me pengesat dhe konfuzionin e shërbimeve që ofron kompania celulare ONE. Problemet e abonentëve nuk kanë nisur as dje e as sot, kanë që nga muaji dhjetor 2022, që po torturojnë qytetarët dhe subjektet, të cilët të mbetur pa shërbim denoncojnë cdo ditë.

AKEP, si rregullator në tregun e komunikimeve elektronike, ka futur kokën si struci dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që i jep si detyrim legjislacioni, që t’i dalë në mbështetje qytetarëve, duke ndërhyrë me instrumenta ligjore në ndaljen e kaosit të paprecedent që ka krijuar prej më shumë se 8 muaj një sipermarrës i licencuar nga AKEP.

Po ta shikosh deklaratën e fundit të AKEP, dallon evazivitetin, si dhe përdorjen e një narrative të përgjithshme, e cila jo vetëm nuk merr në mbrojtje qindra mijë pajtimtarët që kanë një shërbim të cunguar, ose jane pa shërbim fare, për të cilin ata edhe kanë paguar.

Deklarata e AKEP shkon dhe në cinizëm, duke i ftuar pajtimtarët të shkojnë vetë në gjykatë, në vend që si institucion rregullator të ndërhynte menjëherë për zbatimin e ligjit, në kthimin ne normalitet të shërbimeve që ka premtuar në marrjen e licencës sipermarrësi ONE.

AKEP nuk ka vlerësuar asnjëherë marrëdhëniet mes sipërmarrësit dhe pajtimtarëve, duke i lënë dore të lirë sipërmarrësit që të hartojë kontrata në favor të tij dhe në dëm të qytetarëve.

Nga këto kontrata të njëanshme, qytetarët nuk kanë ku të ankohen, nuk mund të rimbursohen për dëmet që ju krijohen. Ndaj AKEP përdor cinizmin duke i drejtuar qytetarët në gjykatë, sepse kontratat janë në disfavor të qytetarëve, dhe për cdo gabim që bën sipërmarrësi ai nuk mund të sanksionohet.

Ndaj AKEP, përcjell me qetësi situatën, pasi ka siguri që sipërmarrësin nuk e gjen gjë, pavarësisht se qindramijë pajtimtarë janë në kaos për marrjen e shërbimeve që paguajnë.  

AKEP nuk ka reaguar, sepse ashtu është urdhëruar. Kujtoj këtu që Rama e ka nën kontroll të plotë AKEP, me emërimin politik në krye të tij të njeriut të tij të afërt, Shefin e tij të Protokollit.

Personalisht, nuk kam pritshmëri që #AKEP do të kryejë funksionin e tij për aq kohë sa Rama të mos urdhërojë një gjë të tillë. E me sa kemi parë…nuk ka qenë asnjë ditë në interesin e tij mbrojtja e qytetarëve…

Bazuar në Ligjin për të drejtën e Informimit, i jam drejtuar sot #AKEP me kërkesa konkrete për të bërë transparente qëndrimet dhe vendimmarrjet në lidhje me situatën shqetesuese të krijuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *