Përmes një deklarate zyrtare, kompania franceze Voltalia njoftoi se ka përfunduar ndërtimin e parkut diellor Karavastasë prej 140 Më dhe është gati të fillojë prodhimin e energjisë. Kompania deklaroi të martën se prodhimi nga parku më i madh fotovoltaik i Ballkanit Perëndimor, pritet të nisë javët në vijim pas përfundimit të testeve.
I vendosur në zonën e Fierit të Shqipërisë jugperëndimore, centrali diellor i Karavastasë është ndërtuar në mbi 200 hektarë tokë dhe pritet të ketë një prodhim që do të jetë i mjaftueshëm për të mbuluar konsumin vjetor të rreth 220,000 banorëve. Gjenerimi do të ndihmojë në uljen e më shumë se 29,160 tonë emetimeve të dioksidit të karbonit (CO2) në vit.
Karavasta ishte ndër fituesit në ankandin e parë të energjisë diellore të mbështetur nga BERZH në Shqipëri, duke siguruar një kontratë 15-vjeçare për afërsisht gjysmën e prodhimit të saj. Pjesa e mbetur e energjisë elektrike do t’u shitet operatorëve privatë me kontrata afatgjata.
Punimet e ndërtimit për projektin nisën në korrik 2022. Pasi të jetë plotësisht i aktivizuar, parku PV do të mbështesë objektivin e Shqipërisë për arritjen e 54.4% të burimeve të rinovueshme në konsumin bruto të energjisë deri në fund të dekadës.