27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

“Western Balkans University” ofron bursa studimi për maturantët

Universiteti “Western Balkans” i ofron mundësinë maturantëve që vijnë nga qytetet Kukës, Has, Topojë dhe Peshkopi që të përfitojnë bursa studimi në programet Bachelor. Bursat mundësohen nga Dhoma e Tregtisë së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë në kuadër të projektit “Perspektiva të Reja” në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.

“Me fokus të veçantë në mjekësi, teknologji dhe biznes, Western Balkan University ofron rreth 25 degë të nivelit master dhe bachelor për studentë që vijnë nga 15 shtete të ndryshme,” deklaroi presidenti i WBU, Ferdinand Gjana.

Në ceremoninë e firmosjes së memorandumit ditën e sotme, morën pjesë ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith, Kryetari i Dhomës së Tregtisë të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë Dr. Klodjan Allajbeu, Presidenti i Universiteti “Western Balkans”, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, menaxheri i projektit “Perspektiva të Reja” z. Edval Zoto si dhe të ftuar të tjerë.

“Kjo është një mundësi fantastike për maturantët për të qëndruar në vendin e tyre dhe për të mësuar nga më të mirët si dhe për të krijuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.” u shpreh ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith.

“Western Balkans University është i përkushtuar për të ofruar më të mirë qoftë nga ana infrastrukturore ashtu dhe nga mundësitë e shumta për studentët,” tha kryetari i Dhomës Britanike në Tiranë, Klodjan Allajbeu.

Në faqen e Universitetit sqarohen edhe hapat që maturantët duhet të ndjekin për të aplikuar.

Aplikimi bëhet në U-Albania, ku maturantët duhet të zgjedhin njërin nga programet bachelor të ofruara nga Universiteti “Western Balkans” në raundin e dytë të aplikimeve në datat 15 – 17 Shtator 2023 dhe të paraqiten sa më parë pranë universitetit për të kryer procedurat paraprake të aplikimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *