Nëse një qytetar apo një biznes kërkon drejtësi në Gjykatën Administrative të Apelit do t’i duhet të presë mesatarisht 24 vjet për ta marrë atë. Shifra alarmante është bërë publike nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në raportin vjetor për sistemin gjyqësor.
“Gjatë vitit 2022 ka vijuar të thellohet problematika e kohës së nevojshme për likuidimin e çështjeve. Në krahasim me një vit më parë, një çështje përfundon për një afat kohor mesatar prej 8680.4 ditësh, që do të thotë 14.6% më gjatë se në vitin paraardhës. Ky tregues shfaq qartë gjendjen problematike në të cilën ndodhet Gjykata Administrative e Apelit,” thuhet në raportin e KLGJ-së dërguar Parlamentit.
Supozoni një pensionist në moshën 70 vjeçare i cili ka një çështje gjyqësore në Apelin Administrativ. Duke ju referuar jetëgjatësisë mesatare të Shqipërisë dhe kohës mesatare që kërkon gjykimi i një çështje në Apel, gjasat më të mëdha janë që drejtësinë ta marrë në botën tjetër se në këtë botë nuk arrin dot.
Mal dosjesh
Në fund të vitit të kaluar numri total i çështjeve që presin të gjykohen në Gjykatën Administrative të Apelit arriti në 21 mijë e 166. Mbi 10 për qind e tyre janë çështje që tashmë kanë më shumë se 5 vjet që presin të gjykohen. Por ky është vetëm fillimi i problemit.
KLGJ thotë se sikur Gjykata Administrative të gjykojë vetëm çështjet ekzistuese me organikë të plotë prej 13 gjyqtarësh do t’i duhen të paktën 10 vjet e gjysmë t’i përfundojnë ato. Ky skenar supozon së në 10 vitet e ardhshme nuk do të regjistrohet asnjë çështje e re. Por realiteti është shumë ndryshe.
Vitin e kaluar në Gjykatën Administrative të Apelit u regjistruan 3641 çështje të reja. Dhe Gjykata arriti të gjykojë në total për të gjithë vitin vetëm 890 çështje. E thënë ndryshe në çdo 4 dosje të reja që shkojnë për gjykim në një vit, Apeli Administrativ gjykon vetëm një, ndërsa 3 të tjerat i shtohen malit të dosjeve që preisn të gjykohen. Kjo është një xhungël pa rrugëdalje, çka e pranon edhe vet KLGJ. “Kjo situatë a dikton nevojën për ndërhyrje në kuadrin ligjor apo ndërhyrje të tjera me karakter organizativ, me qëllim uljen e ngarkesës së kësaj gjykate,” thuhet në raport.
Kjo ishte vetëm Gjykata Administrative e Apelit. Por situata është thuajse identike e rënduar në të gjitha gjykatat e vendit, të cilat janë zhytur në mallet e mëdha të dosjeve. Reforma në Drejtësi, ndoshta investimi më i madh institucional i Shqipërisë, u bë që vendi të kishte një sistem drejtësie të pavarur dhe të pakorruptuar. Por për qytetarët, drejtësia e pavarur dhe e pakorruptuar është vetëm një mirazh, për sa kohë nuk kanë akses në të.