Rritja e çmimeve u ngadalësua muajin e kaluar, teksa inflacioni vjetor zbriti në 4.2 për qind. INSTAT raportoi se në Korrik, inflacioni vjetor zbriti në 4.2 për qind nga 4.5 për qind që ishte një muaj më parë.
Sipas INSTAT, ky është niveli më i ulët i inflacionit që nga marsi 2022, kur dhe filloi rritja e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë.
Megjithatë, pavarësisht ngadalësimit të inflacionit, ushqimet, të cilat zënë peshën kryesore të buxhetit të familjeve shqiptare kanë vijuar të shtrenjtohen, duke ndikuar pjesën më të madhe të inflacionit. Sipas INSTAT, mesatarisht ushqimet ishin 9% më të shtrenjta këtë Korrik se sa Korriku i vitit të kaluar, të ndikuara nga zarzavatet e patalet, që kushtojnë 21.6% më shumë, si dhe qumështi e vezët, me 13.6%.
Fluksi i lartë i turistëve duket se ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e argëtimit, me çmimet 9.5% më të larta.
“Argëtim dhe kulturë” ishte grupi që shënoi rritjen më të lartë të çmimeve krahasuar me një vit më pare, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,0 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,0 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7 %, “Shërbimi arsimor” me 2,0 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,3 %, “Komunikimi” me 1,2 % dhe “Shëndeti” me 1,1 %.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 12,4 %.