27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Zhbllokohet rritja e pagave, qeveria pranon shtesën për deputetët

Pas bllokimit disa javor dhe negociatave intensive mes qeverisë dhe deputetëve, Parlamenti i ka hapur rritjes së pagave për administratën. Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar me votë unanime draftin e propozuar nga qeveria, i cili rrit pagat për të punësuarit në sektorin publik.

“Nga projektligji për rritjen e pagave do të përfitojnë 130 330 punonjës të administrates di dhe do të preken edhe 250 funksionarë politikë që e kanë pagën të lidhur me Presidentin,” deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.

Paga e presidentit rritet në 425 000 lekë, nga 257 000 që është aktualisht. Por qeveria ka ulur koeefiçentët që lidhen me pagat e deputetëve dhe ministrave. Si rezultat, këto kategori përjashtohen nga projektligji i miratuar.

“Pagat e deputetëve dhe ministrave nuk do të përfshihen në këtë draft,” konfirmoi Ibrahimaj. Por ndonëse pagat e deputetëve dhe ministrave nuk rriten me këtë projektligj, qeveria ka pranuar rritjen e tyre në muajt në vijim. Me sa duket kjo ishte dhe marrëveshja që bëri të mundur zhbllokimin e rritjes së pagave për sektorin publik.

Ngërçi me rrogat e deputetëve

Projektligji për rritjen e pagave shkoi në Komisionet Parlamentare disa javë më parë. Por në Komisionin e Ekonomisë, votimi i tij u bllokua nga deputetët, të cilët kërkuan rritje rrogash edhe për kategorinë e tyre.

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave është komisioni përgjegjës. Pa miratimin e tij, drafti nuk mund të kalojë dot në Parlament. Oligarkia.al kontaktoi me drejtuesit e Komisionit të Ekonomisë, të cilët konfirmuan se rritja e pagave është zhbllokuar dhe ata do ta miratojnë projektligjin.

Por burime konfidenciale bënë të ditur për portalin se gjatë kësaj kohe ka patur negociata intensive mes qeverisë dhe deputetëve, pas të cilave është rënë dakord që të rriten edhe rrogat e ministrave dhe deputetëve. Ajo që mbetet për t’u përcaktuar është koha se kur rritja e rrogave për këtë kategori do të hyjë në fuqi.

“Me shumë gjasa, do të vendoset që rritja e rrogave për ministrat dhe deputetët të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm,” tha një prej pjesëmarrësve në negociata.  

Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Financave, në total rritja e propozuar e pagave për 130 mijë të punësuarit në sektorin publik ka një kosto buxhetore prej 39 miliardë lekësh ose rreth 350 milionë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *